|
There are no translations available.

Dje në kinemanë ABC u përmbyll edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë” i cili u organizua nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Gjatë mbrëmjes u bë poashtu edhe ndarja e çmimeve të festivalit.
Drejtori i Festivalit Arian Zeka theksoi se ky edicion i Festivalit u karakterizua nga filma jashtëzakonisht cilësor, gjë që e bëri të vështirë vlerësimin e jurisë. Kryetari i jurisë Vehap Shita, tha se filmat e konkurrencës zyrtare të edicionit të njëmbëdhjetë nuk ishin vetëm filma dokumentarë por ishin të kombinuar edhe me elemente të artit, duke i bërë kështu më të fuqishëm në përçimin e porosisë së tyre.
Juria profesionale e përbërë nga kritiku i filmit Vehap Shita, regjisori Isa Qosja dhe drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së Behxhet Shala, vendosën që Çmimin e Jurisë ta ndajnë për dy filma që ishin pjesë e konkurrencës zyrtare, filmin “Banda Rozë” të regjisorit italian Enrico Bisi dhe filmin “Arritja e Karlas” të regjisorit holandez Koen Suidgeest.
Gjithashtu, u ndanë edhe dy çmime të organizatorit, ku i pari i takoi filmit të regjisores vendore Mrika Krasniqi për filmin e saj dokumentar “Goli Otok”, ndërsa çmimi i dytë i organizatorit i takoi regjisorëve Luc Côté dhe Patricio Henriquez për filmin e tyre “Nuk ju pëlqen e vërteta”.
Për rrëfimin jashtëzakonisht tronditës, siç e quajti drejtori i Festivalit Arian Zeka, të një mercenari italian i cili kishte marrë pjesë në luftërat e Ish-Jugosllavisë, çmimi “Mirënjohje e Veçantë” iu nda filmit “Kam qenë Zot në Bosnjë” të regjisorit shqiptar që jeton në Itali, Erion Kadilli.
|