Për KMDLNJ-në |
|
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj) është e para organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse në Kosovë, e themeluar më 14 dhjetor 1989 me qëllim të mbrojtjes dhe të promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut sipas standardeve të pranuara ndërkombëtarisht. Gjatë viteve të 90-ta KMDLNj ka bërë grumbullimin e informatave, të deklaratave, të fotografive dhe të dëshmive të tjera për shkeljet e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë, të cilat janë publikuar në formë të raporteve periodike javore, mujore, tremujore, gjashtëmujore dhe vjetore. Me përfundimin e luftës në Kosovë, KMDLNJ u bë partner implementues i UNHCR-së, së pari në projektin e monitorimit të kthimit të refugjatëve, e pastaj në aktivitetet për kthimin dhe riintegrimin e minoriteteve dhe të personave të zhvendosur. E financuar nga ABBA/CEELI, KMDLNj ka grumbulluar të dhëna ante mortum për të zhdukurit dhe dëshmi të tjera për krime lufte. Në vijim të kësaj, KMDLNJ ka bashkëpunuar edhe me Tribunalin e Hagës për grumbullimin e dëshmive për krimet e luftës në Kosovë dhe ka dorëzuar disa kallëzime penale. Në kuadër të KMDLNJ-së, i financuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim (AER), ka funksionuar edhe Shërbimi Juridik i përbërë prej avokatëve dhe juristëve që ofronin ndihmë juridike falas për çështjet civile juridike. KMDLNJ ka bërë edhe monitorimin e zgjedhjeve komunale më 2000 e 2002 dhe të zgjedhjeve të përgjithshme më 2001 e 2004. Ka qenë i angazhuar edhe në monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës dhe të Asambleve Komunale. Aktualisht KMDLNj përveç të drejtave të pakicave në Kosovë e monitoron edhe gjendjen e të burgosurve në qendrat e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese në tërë territorin e Kosovës. KMDLNj është në përfundim të përgatitjes për botim të monografisë trivëllimëshe për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
|